Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Share on

Facebook

U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale takohen me Presidentin e EUROJUST-it

Prishtinë, 07 Qershor 2024 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), z. Blerim Isufaj, dhe Prokuroren e PSRK-së, znj. Ilirjana Çollaku – Tafa, kanë zhvilluar takim me Presidentin e EUROJUST-it, z. Ladislav Hamran. 

Temë qendrore e takimit ndërmjet përfaqësuesve të institucionit të Prokurorit të Shtetit me Presidentin Hamran ishte avancimi i bashkëpunimit dypalësh, konkretisht nevoja e pranisë së Kosovës si vëzhguese e përhershme në EUROJUST, që u vlerësua si hap esencial për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. 

Në këtë kontekst, Presidenti i EUROJUST-it ka vlerësuar lartë angazhimin, bashkëpunimin dhe ndërveprimin e ngushtë që prokurorët kosovarë kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë me këtë agjenci të BE-së në fushën e drejtësisë penale.

Në anën tjetër, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka falënderuar Presidentin Hamran për bashkëpunimin konstruktiv dhe ndihëm profesionale që EUROJUST e ka dhënë për Prokurorin e Shtetit, duke theksuar se duhet të jemi të vendosur në luftimin e të gjitha formave të krimit, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet në të ardhmen.  

Ndërkaq, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, ka folur për veprimet që PSRK i ka ndërmarrë në intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit me EUROJUST-in, si dhe ka potencuar se PSRK do t’i përgjigjet në kohë dhe në mënyrë efektive të gjitha kërkesave dhe obligimeve që adresohen nga EUROJUST-i.

Në nëntor të vitit 2022, institucioni i Prokurorit të Shtetit ka zyrtarizuar bashkëpunimin juridik me EUROJUST, duke caktuar prokurorin ndërlidhës të përhershëm si dhe një prokuror si pikë kontakti lidhur me implementimin e projektit “WB CRIM JUST”, i cili ka filluar të zbatohet në Ballkanin Perëndimor.