Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion i pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta me qëllim të sigurimit që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional dhe i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës përfshirë dhe parimet e pranuara ndërkombëtare të barazisë gjinore. Ky mandat është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (2008). Deri në nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (2008), mandati lidhur me menaxhimin e sistemit prokurorial, të cilin tashmë e ushtron Këshilli, është ushtruar nga një organ i përbashkët, i njohur si Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës. Krijimi i bazës kushtetuese dhe nxjerrja e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës që ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2011, mundësuan themelimin e Këshillit si institucion i pavarur në menaxhimin e sistemit prokurorial të Kosovës. Në këtë mandat Këshilli ka pasur 9 anëtarë, kurse mbledhja e parë e Këshillit është mbajtur më 7 shkurt 2011.
Misioni i Këshillit është sigurimi i sistemit të pavarur, të paanshëm, profesional dhe efektiv i hetimit dhe i ndjekjes penale nga prokurorë të rekrutuar në bazë të meritës, të vlerësuar në bazë të rezultateve në punë dhe të mbikëqyrur sipas standardeve të larta, i cili siguron zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë e pa dallime dhe i trajton në mënyrë meritore viktimat e krimit.
Këshilli ka një vizion për sistemin prokurorial të Kosovës i cili e parasheh atë të jetë i pavarur, pasqyrues i natyrës shumë etnike të Republikës së Kosovës, i qasshëm për të gjithë, i paanshëm, i drejtë dhe efikas në hetimet dhe ndjekjet e tij, llogaridhënës për punën e tij dhe që funksionon në bazë të standardeve më të larta të ndershmërisë, integritetit, profesionalizmit dhe transparencës.