Prishtinë, 20 qershor 2024 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, u takuan sot, me Sekretarin Shtetëror të Ministrisë së Drejtësisë së Federatës Gjermane, Benjamin Strasser.
Në takim morën pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondacionit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), Stefan Hülshörster, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë së Federatës Gjermane, Piotr Maladionski, dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Federatës Gjermane në Kosovë, Sebastian Leuschner, me bashkëpunëtorët e tyre.
Gjatë këtij takimi janë diskutuar objektivat dhe prioritetet e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, me fokus në reformën në drejtësi, sundimin e ligjit dhe fuqizimin e profesioneve të lira.
Përfaqësuesit e institucioneve kosovare shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e vazhdueshme të Federatës Gjermane dhe veçanërisht të IRZ-së në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Sekretari Strasser falënderoi institucionet kosovare për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.