Ferizaj, 3 Tetor 2024– Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Shukri Jashari sot gjatë ditës ka pritur në takim përfaqësues nga Administrata Gjyqësore Norvegjeze, njëherësh dhe donator të Projektit për Sistemin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL).
Takimi u mbajt në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi në lidhje me të arriturat e deritanishme të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL).
Fillimisht Kryeprokurori Jashari i njoftoi përfaqësuesit e Administratës Gjyqësore Norvegjeze, rreth punës, mënyrës së funksionimit dhe zbatimit të sistemit elektronik (SMIL) në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Po ashtu, u diskutuan edhe sfidat kryesore gjatë punës së përditshme me sistemin SMIL si të pranishmit u njoftuan me githë procesin e punës së këtij sistemi elektronik, duke filluar nga shkrimorja deri në momentin kur lëndët dërgohen nga kjo Prokurori në Gjykatën kompetente.
Kryeprokurori Jashari, në fund të takimit i falënderoi të pranishmit për vizitën e bërë si dhe për ndihmën e kontributin e vazhdueshëm të tyre rreth projektit SMIL, duke theksuar se avancimi i SMIL-it dhe aplikimi i tij është një nga prioritetet kryesore dhe më të rëndësishme të kësaj prokurorie.