Share on

Facebook

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren përfaqëson Këshillin Prokurorial të Kosovës në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit

Prishtinë, 8 prill 2025 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Petrit Kryeziu, ka përfaqësuar Këshillin Prokurorial të Kosovës në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit me temën: “Zbatimi i rekomandimeve të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT) të Këshillit të Evropës dhe sfidat në zbatim”, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme ligjzbatuese.

Kryeprokurori Kryeziu, theksoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka përmbushur të gjitha rekomandimet e dhëna nga CPT-ja, me ç’rast shprehu gatishmërinë institucionale për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet relevante në çdo formë që kërkohet.

Në fjalën e tij, z. Kryeziu, sqaroi se përmbushja e rekomandimeve është bërë përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me të gjitha institucionet, duke përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës, përmes raportimeve dhe kallëzimeve penale. Gjithashtu, ai dha sqarime lidhur me përmbushjen ligjore të rekomandimit për marrjen në pyetje të të miturve dhe qasjen në raportet e autopsisë nga menaxhmenti shëndetësor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Pjesëmarrja dhe kontributi i tij në këtë tryezë u vlerësuan lart nga organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke reflektuar përkushtimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit për zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.