Share on

Facebook

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë z. Zejnullah Gashi mbajti diskutim publik me shoqërinë civile dhe përfaqësues nga misionet diplomatike lidhur me planin e punës së kësaj prokurorie për vitin 2025

Prishtinë, 03.04.2025 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë z. Zejnullah Gashi,  ka mbajtur diskutim publik me pjesëtarët e shoqërisë civile dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, ku u diskutua lidhur me planin e punës së kësaj prokurorie për vitin 2025.

Fillimisht Kryeprokurori Gashi ka prezantuar në pika të shkurta të arriturat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2024, si dhe ka përmendur objektivat kryesore të kësaj prokurorie për gjatë vitit 2025. Të pranishmit më pas kanë dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre lidhur me planin e punës dhe planin e veprimit të prokurorisë, për të cilat Kryeprokurori është zotuar që do të trajtohen me seriozitet dhe do të inkorporohen në planin e punës. 

Në fund, Kryeprokurori Gashi ka falënderuar të pranishmit për komentet dhe bashkëpunimin e ofruar nga ta, si dhe ka shprehur gatishmërinë që një bashkëpunim i tillë duhet vazhduar dhe intensifikuar në të ardhmen, krejt kjo me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për të gjithë qytetarët.