Prishtinë, 01 Prill 2025 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ka pritur në takim Drejtoreshën e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, znj.Tamara Greig, Shefen e Seksionit Politik znj.Bridget Trazoff dhe Specialisten e Programeve të INL-së, znj. Dafina Bardhi Rexhepi.
Kryeprokurori Gashi fillimisht i njoftoi pjesëmarrëset në këtë takim lidhur me strukturën organizative të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet kjo prokurori, duke theksuar edhe mbështetjen e madhe që është dhënë përmes programeve të ndryshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në tejkalimin e këtyre vështirësive.
Gjatë këtij takimi, Kryeprokurorit Gashi theksoi angazhimin e institucionit që drejton në rritjen e efikasitetit dhe transparencës në punën prokuroriale, ndërsa përfaqësueset nga Departamenti Amerikan i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë nënvizuan arritjet ndër vite të sistemit prokurorial në maturimin institucional, ngritjen e standardeve profesionale dhe ngritjen e efikasitetit në ushtrimin e detyrave prokuroriale.
Në fund të takimit, Kryeprokurori Gashi falënderoi të pranishmet për vizitën në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë sistemit prokurorial në përgjithësi, dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë në veçanti.