Prishtinë, 28 Tetor 2024 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, është duke marrë pjesë në punëtorinë “Administrimi i gjyqësorit, në mënyrë të veçantë përfshirja e komuniteteve në sistemin gjyqësor”, e cila po mbahet në Tiranë dhe është organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), dhe misioni i OSCE-së në Kosovë.
Duke folur për sfidat e integrimit të komuniteteve në sistemin e drejtësisë dhe zgjidhjet e mundshme U.D. Kryeprokurori Kelmendi, gjatë sesioneve të diskutimit ka përcjellë praktikat më të mira të institucionit të Prokurorit të Shtetit që lidhen me reformën në drejtësi, sfidat dhe gatishmërinë për të avancuar qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët pa dallim, pavarësisht përkatësisë etnike.
Në këtë punëtori përveç U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, po marrin pjesë edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarë të gjykatave dhe gjyqtarë si dhe përfaqësues të misionit të OSCE-së në Kosovë.