Share on

Facebook

Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve vizitoi Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj

Gjilan dhe Ferizaj,  24 tetor 2024 – Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve – Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Bahri Hyseni së bashku me zyrtarët e deleguar nga institucionet ligjzbatuese në këtë zyrë dhe përfaqësuesin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, vizituan sot Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ku u pritën nga kryeprokurorët dhe prokurorët e këtyre dy prokurorive.

Gjatë takimeve të mbajtura në këto prokurori, prokurori Hyseni i njoftoi  të pranishmit për funksionalizimin e Zyrës për Rikthim të Aseteve, si dhe për Procedurat Standarde të Veprimit, duke kërkuar bashkëpunim nga prokurorët e këtyre prokurorive me këtë zyrë, me qëllim të këshillimit dhe ndihmës për të gjithë prokurorët që kanë raste ku duhet të aplikohen procedurat për rikthimin e aseteve.

Gjatë këtyre takimeve është diskutuar dhe janë shkëmbyer mendime mbi përmirësimin e procedurave standarde të veprimit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, të cilat do të jenë ndihmesë për të gjithë prokuroret që kanë nevojë për ndihmën e Zyrës për Rikthim të Aseteve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan z. Arben Kadriu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z. Shukri Jashari, së bashku me prokurorët e këtyre prokurorive, falënderuan pjesëmarrësit për vizitën e tyre, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me këto institucione për të arritur rezultate sa më të mira.