Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Share on

Facebook

U.D. Kryeprokurori i Shtetit z. Besim Kelmendi, merr pjesë në lansimin e Rrjetit për Inteligjencë kundër Pastrimit të Parave në Kosovë

Prishtinë, 10 tetor 2024 – Në kuadër të avancimit të luftës kundër aktiviteteve të paligjshme financiare, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ishte pjesë e panelit gjatë lansimit të Rrjetit të Përbashkët për Inteligjencë kundër Pastrimit të Parave në Kosovë, të organizuar nga Njësia për Inteligjencë Financiare, ku morën pjesë edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurorë specialë dhe prokurorë të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë dhe të institucioneve të vendit tonë.

Me këtë rast, z.Kelmendi, theksoi se ky rrjet do të jetë një edhe mekanizëm shtesë për punën e Prokurorit të Shtetit dhe një mundësi shumë e mirë për bashkëpunim në mes të institucioneve ligjzbatuese, si dhe sektorit privat, më qëllim të parandalimit dhe luftimit të pastrimit të parave, para këto, të fituara nga kryerja e veprave penale shumë serioze, siç janë krimi i organizuar, terrorizmi dhe korrupsioni i nivelit të lartë, përmes të të cilit dëmtohet rëndë buxheti i shtetit.

Më tutje, në fjalën e tij, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Kelmendi, deklaroi se vetë pjesëmarrja në ketë ngjarje e prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurorëve specialë dhe prokurorëve të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës, tregon gatishmërinë e Prokurorit të Shtetit për pjesëmarrje në Rrjetin për Inteligjencë kundër Pastrimit të Parave. “Jam këtu për të shprehur përkushtimin dhe angazhimin institucional dhe për të garantuar që të gjitha kapacitetet e Prokurorit të Shtetit janë në dispozicion për të mbështetur ketë rrjet të rëndësishëm, në mënyrë që suksesi kundër krimit të jetë sukses i përbashkët i të gjitha institucioneve ligjz batuese dhe sektorit privat të bizneseve, sepse ky sukses është në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe mundëson një bashkëpunim shumë më efektiv më partnerët tonë ndërkombëtar, si dhe lehtëson rrugën e Kosovës për integrime euroatlantike”, tha me këtë rast z.Kelmendi.

Po ashtu edhe pjesëmarrësit e tjerë të kësaj ngjarjeje, vlerësuan lart rolin dhe rëndësinë e lansimit të një rrjeti të tillë për luftimin e pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe financimit të terrorizmit.