Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Share on

Facebook

Mesazhi i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Penale

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,

Të nderuar përfaqësues të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile,

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Penale, dëshiroj të konfirmoj angazhimin institucional të Prokurorit të Shtetit në luftimin efektiv të të gjitha formave të krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Gjatë punës tonë të përditshme në hetimin, ndjekjen dhe vënien para drejtësisë të personave që kanë kryer vepra penale, Prokurori i Shtetit siguron trajtim të barabartë dhe objektiv për të gjithë personat pa diskriminim në baza kombëtare, religjioze, gjinore, racore, bindjeve politike apo pozitës shoqërore.

Prokurori i Shtetit është i pavarur dhe i paanshëm gjatë ushtrimit të funksionit të vet, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet vendore, konventat ndërkombëtare dhe standardet më të larta të së drejtës pozitive.

Mbajtja përgjegjës dhe llogaridhënës e të gjithë personave që kanë kryer vepra penale, mbrojtja e viktimave të krimit, fuqizimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në fushën penale, avancimi i parimit të llogaridhënies dhe rritja e besimit të publikut nëpërmjet ngritjes së transparencës institucionale janë objektivat kryesore të punës dhe angazhimit të Prokurorit të Shtetit gjatë realizimit të mandatit kushtetues dhe ligjor.

Në frymën e kësaj, Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë për parandalimin dhe luftimin e krimit dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

 

Besim Kelmendi

U.D. Kryeprokuror i Shtetit