Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Share on

Facebook

U.D. Kryeprokurori i Shtetit: Uebportali i ri afron sistemin prokurorial me publikun, median dhe shoqërinë civile

Prishtinë, 05 Qershor 2024 – Në ceremoninë e lansimit të uebportalit të ri të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka mbajtur një fjalë rasti, ku ka theksuar se kjo dritare e informacionit që po lansohet sot do të jetë një mënyrë e mirë që secili qytetar, organizatë e shoqërisë civile apo media të ketë informacione me të plota dhe në kohë reale, në mënyrë që imazhi i Prokurorit të Shtetit dhe sistemit prokurorial të avancohet, siç është duke u avancuar çdo ditë dhe për këtë ka falënderuar shoqërinë civile dhe mediat, të cilat po ndikojnë që të rritet besimi i publikut në punën e Prokurorit të Shtetit. 

Gjithashtu U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka inkurajuar qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile që t’i shfrytëzojnë mundësitë dhe qasjen që sistemi prokurorial po ju jep atyre, siç është kjo e ueb portalit të ri ku do të mund të kenë informacione më të shumta për punën që e bënë Prokurori i Shtetit, sepse është duke u bërë punë e madhe. 

Në fund, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka falënderuar UNDP-në e cila ka mbështetur këtë projekt.

Dizajnimi dhe zhvillimi i uebportalit të ri të sistemit prokurorial është mundësuar nga  Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, konkretisht nga Projekti “Mbështetje për përpjekjet kundër korrupsionit, SAEK III, përmes ndihmës së Qeverisë së Zvicrës dhe Qeverisë së Suedisë dhe do të jetë në shërbim të mediave, të shoqërisë civile dhe të të gjithë qytetarëve të vendit.