Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës

VIKTIMAT E KRIMIT

Viktimë e krimit është çdo person që ka pësuar  dëm duke përfshirë dëmin fizik, mendor, emocional ose edhe humbjen ekonomike të shkaktuar nga një vepër penale të dhunshme
Viktimat e krimit janë: viktimat e dhunës në familje dhe formave tjera të dhunës në baza gjinore, viktimat e trafikimit me njerëz, viktimat e dhunimit, ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale, viktimat e grabitjes dhe sulmeve të dhunshme. Viktimë janë edhe anëtarët e familjes së viktimave të vrasjeve, vdekja e të cilëve është shkaktuar drejtpërdrejt nga vepra penale. 
Viktimave të krimit ju njihen një mori të drejtash në kuadër të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe u ofrohet mbrojtje, siguri, rehabilitim dhe ri integrim. 

Si viktimë e krimit, ju keni të drejtën:

  1. Të trajtoheni me respekt, ndjeshmëri dhe dinjitet dhe në mënyrë profesionale dhe jo diskriminuese nga policia, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, gjyqtarët dhe organet tjera me të cilët keni kontakt;
  2. Të informoheni rreth të drejtave të juaja, pa vonesa që nga kontakti i juaj i parë me policinë, mbrojtësit e viktimave, prokurorët, gjyqtarët dhe organet tjera;
  3. Të njoftoheni lidhur me rastin tuaj dhe procedurat në polici, prokurori dhe gjykatë;
  4. Të keni qasjen në ndihmë mjekësore, mbështetjen psikologjike, strehim alternativ,  përfaqësim ligjor dhe ndihmën juridike falas përfshirë këtu edhe përfaqësimin nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave ;
  5. Të kërkoni mbrojtje duke përfshirë edhe masat mbrojtëse të parapara me ligj;
  6. Të dëgjoheni nga policia, mbrojtësi i viktimave, prokuroria dhe gjykata;
  7. Të keni qasje në përkthim pa pagesë nëse nuk e kuptoni gjuhën në të cilën zhvillohet procedura; 
  8. Të keni të drejtë për kompensim nga i dëmtuari në procedurën penale ose të kërkoni kompensim nga Programi për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Trajtimi dhe ri integrimi i viktimave të krimit kërkon qasje të shumëllojshme duke përfshirë akterë dhe shërbime të ndryshme për ndihmën ndaj viktimave. Viktimave të krimit në Kosovë ju ofrohet:

  1. Strehim: viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit dhe viktimat fëmijë vendosen në strehimoret e specializuara të Kosovës. Viktimat që kanë nevojë për strehim pas veprës penale, policia ka për obligim t’i shoqërojë në strehimoren më të afërt ku iu ofrohet strehim i sigurt, veshëmbathje, kujdes shëndetësor dhe shërbime tjera gjatë kohës së qëndrimit në strehimore. 
  2. Kujdes mjekësor: policia dhe punëtorët social i referojnë viktimat në institucionet shëndetësore për ndihmën emergjente mjekësore. Institucionet publike shëndetësore ofrojnë shërbim mjekësor falas për viktimat e krimit. 
  3. Shërbimet e këshillimit: në disa raste viktimave iu ofrohet këshillimi psikologjik nga stafi i specializuar i strehimores dhe në disa raste tjera ato edhe referohen në institucionet shëndetësore që ofrojnë këshillim psikologjik. Viktimat kanë nevojë për këshillim psikologjik duke pasur parasysh përvojën traumatike si rezultat i dhunës që e kanë përjetuar.
  4. Mbështetja ligjore: viktimave të krimit u ofrohet ndihmë dhe përfaqësim ligjor pa pagesë nga Mbrojtësit e Viktimave që nga momenti i identifikimit, para, gjatë dhe pas procedurës gjyqësore. Mbrojtësit e viktimave i ndihmojnë viktimat të parashtrojnë kërkesën për  urdhër mbrojtje nga gjykata, përfaqësojnë viktimën në prokurori e gjykatë, si dhe i ndihmojnë viktimat të plotësojnë kërkesën për kompensim nga shteti.
  5. Arsimimi dhe punësimi: punëtorët social hartojnë planin individual për menaxhimin e rastit të viktimave dhe bëjnë referimin e viktimës në institucionet edukative, në disa raste ndihmojnë kthimin e viktimave në arsim, angazhimin në kurse të ndryshme profesionale dhe referimin për qendrat rajonale për punësim.
  6. Kompensimi i viktimave: mbrojtësit e viktimave asistojnë viktimat që gjatë procedurës penale të plotësojnë deklaratën e dëmit për të kërkuar dëmshpërblimin nga i pandehuri. Në rastet kur viktimat nuk mund të realizojnë dëmshpërblimin nga kryesi, atëherë kanë mundësinë e kompensimit nga shteti. Secili institucion ka për obligim të njoftojë viktimën për të drejtën e tyre në kompensim, Mbrojtësit e viktimave ndihmojnë viktimën që të plotësojë dhe dorëzojë kërkesën për kompensim në Programin e Kompensimit të Viktimave të Krimit.

PROGRAMI I KOMPENSIMIT TË VIKTIMAVE TË KRIMIT

Programi për kompensimin e viktimave të krimit financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Programi ia mundëson viktimave të veprave të dhunshme të kompensueshme të aplikojnë për kompensim financiar për dëmet si pasojë e veprës penale. Kompensimi nga shteti mund të kërkohet në rastet kur viktima nuk mund ta realizojë të drejtën për dëmshpërblim nga i pandehuri apo kompensim nga burimet tjera.  

Informatat e detajuara lidhur me kompensimin e viktimave mund t’i gjeni në broshurat dhe formularët e bashkëngjitura më poshtë. Shihni broshurën informuese dhe formularët për parashtrimin e kërkesës për kompensim.

Materialet
Filters
1 2