Share on

Facebook

Kryesuesi Hajdaraj priti në takim përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Ardian Hajdaraj, priti në takim përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje, z.Eric Stonecipher dhe Këshilltarin e Lartë Ligjor në UNDP, z.Albert Avdiu, si dhe z.Betim Nimani.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për avancimin e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe për bashkërendimin e aktiviteteve që janë në funksion të ofrimit të mbështetjes profesionale për hartimin e akteve të veçanta nënligjore të sistemit prokurorial, siç është draftimi i Rregullores për Zyrën për Rikthimin e Aseteve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Me këtë rast, Kryesuesi Hajdaraj falënderoi ekspertët e Institutit të Bazelit për Qeverisje, z. Stonecipher dhe z.Avdiu, për angazhimin dhe mbështetjen në të kaluarën dhe tani, sidomos në fushën e ekspertizës për gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucionet financiare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar juridik për arritjen e synimeve për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale.

Z.Eric Stonecipher ka uruar z.Hajdaraj për zgjedhjen në pozitën e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e plotë që të vazhdohet dhe avancohet bashkëpunimi dhe bashkërendimi i aktiviteteve të planifikuara për vitin 2024.

Gjatë takimit të sotëm, bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e angazhimit të ekspertëve të Institutit deri në aftësimin e plotë të zyrtarëve dhe të Zyrës për Rikthimin e Aseteve për kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tyre, zyrë kjo, e cila do të asistohet nga Instituti i Bazelit për Qeverisje përmes zgjerimit të fushëveprimit të marrëveshjes aktuale të bashkëpunimit me Institutin e Bazelit për Qeverisje.

slider-imgKryesuesi Hajdaraj priti në takim përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje