Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton lidhur me bastisjen e realizuar më 31.01.2024, se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin – aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë së bashku me prokurorin e rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës- Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.
Pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së.
Gjithashtu, ju njoftojmë se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë.