Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Mbahet takim për hartimin e draftit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2025-2027

Prishtinë, 19 shtator 2024 – Në kuadër të hartimit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2025-2027, sot është mbajtur takimi i parë dyditor i Grupit punues për hartimin e këtij plani, i kryesuar nga Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Jehona Grantolli, me mbështetje të OSBE-së.

Në këtë takim janë duke marrë pjesë Kryesuesi i KPK-së, z. Ardian Hajdaraj, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, anëtarë të KPK-së, kryeprokurorë, prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Drejtori i SKPK-së dhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së.

Fillimisht, gjatë zhvillimit të sesionit të parë të këtij takimi, u prezantua raporti për zbatimin e Planit Strategjik 2024-2026, me ç’rast u nënvizuan të arriturat dhe sfidat e kësaj periudhe.

Përgjatë takimit, anëtarët e Grupit punues analizuan gjendjen aktuale të sistemit prokurorial krahas shtyllave dhe objektivave të planit paraprak, si dhe bazuar në këto diskutime është trajtuar metodologjia e punës, e cila do të përdoret për hartimin e këtij plani.

Ndër të tjera, udhëheqësja e Grupit punues, Zëvëndëskryesuesja e KPK-së, znj.Jehona Grantolli, theksoi rëndësinë e planifikimit strategjik, si udhërrëfyes dhe themel i qëndrueshëm për arritjen e objektivave të sistemit prokurorial dhe përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor. “Një nga hapat kyç do të jetë identifikimi i fushave prioritare ku mund të përmirësojmë shërbimet tona, të rrisim profesionalizmin dhe të garantojmë një sistem prokurorial të pavarur dhe të drejtë”, tha zonja Grantolli.

Gjatë diskutimeve u theksua nevoja e trajtimit të duhur të objektivave të këtij plani, përfshirë avancimin dhe përmirësimin e procedurave dhe proceseve për të siguruar që çështjet të trajtohen shpejt dhe me cilësi, forcimi i mekanizmave të transparencës për të rritur besimin e publikut në sistemin prokurorial, ofrimi i trajnimeve specifike për prokurorët për të përmirësuar kapacitetet profesionale, nxitja e bashkëpunimit me institucionet e tjera për të adresuar çështje komplekse dhe për të përmirësuar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, rritja e kapaciteteve për të identifikuar dhe ndjekur penalisht rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përdorimi i teknologjisë për të përmirësuar menaxhimin e informacionit dhe efikasitetit në punë dhe çështje të tjera.

Takimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.