Share on

Facebook

Shënohet Java e Qasjes në Dokumente Publike

Prishtinë, 25 shtator 2024 – Në kuadër të shënimit të Javës së Qasjes në Dokumente Publike, anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e shoqërisë civile, z.Visar Krasniqi, sot ishte pjesë e një paneli të diskutimit për zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, i ftuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP). Në këtë panel morën pjesë përfaqësues të gjykatave, agjencive të pavarura, mediave dhe të shoqërisë civile.

Z.Krasniqi, gjatë fjalës së tij, potencoi rëndësinë e qasjes në dokumente publike, e cila është inkorporuar në të drejtën e lirisë së shprehjes, ngaqë qytetarëve, mediave dhe shoqërisë civile iu mundësohet qasja dhe pjesëmarrja efektive në jetën publike dhe në çështjet që kanë të bëjnë me jetët e tyre dhe të shoqërisë përgjithësisht. Sistemi prokurorial tashmë ka një kuadër ligjor të përcaktuar mirë të qasjes në dokumente publike, siç është edhe Rregullorja për Qasje në Dokumente Publike e Sistemit Prokurorial, e cila qartëson mënyrën se si mund të ketë gjithnjë e më shumë transparencë publike”, tha më këtë rast z.Krasniqi.

Gjithashtu, z.Krasniqi, shpjegoi para të pranishmeve se, sipas raporteve për qasje në dokumente publike, rezulton se fryma e kërkesave për qasje në dokumente publike të sistemit prokurorial ishte e natyrës financiare dhe e shpenzimit të parasë publike, por ka edhe të natyrave të tjera, si dhe zyrtarët angazhohen që të mos cenohet ndjeshmëria e rasteve dhe të mbrohen të dhënat personale, çështje këto, që hyjnë në kuadër të aspekteve thelbësore për forcimin e transparencës dhe ngritjes së llogaridhënies institucionale.

Në panelin e diskutimeve është theksuar nga z.Krasniqi si një e arritur edhe publikimi i vendimeve disiplinore dhe i të dhënave që kanë të bëjnë me statistikat për nivelin e performancës së prokurorëve të shtetit.

Në këtë tryezë u tha se nga matjet e bëra rezulton se 80% e kërkesave për qasje në institucionet publike ndërlidhen me dokumentet, të cilat, faktikisht, do të duhej të ishin të publikuara, sepse kjo rrjedhimisht do të rezultojë në një vendimmarrje më të mirë, do të rrisë komunikimin e qytetarëve dhe shoqërisë civile me organet publike dhe veçanërisht vë në pah integritetin institucional.