Prishtinë, 5 maj 2025 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi mori pjesë në takimin e përbashkët të Udhëheqësit të Zyrës për Rikthim të Aseteve – Prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Bahri Hyseni, me zyrtarët e deleguar nga institucionet ligj zbatuese në këtë zyrë. Në këtë takim morën pjesë edhe partnerët ndërkombëtar që e mbështesin punën e kësaj zyreje që nga themelimi i saj.
Gjatë këtij takimi u diskutua për punën e deri tanishme të kësaj zyreje, si dhe për bashkëpunimin që kishte gjatë vitit 2024 më Organizatën CARIN dhe disa vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe Zvicrën dhe Turqinë.
Me këtë rast Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke vlerësuar lartë punën që ka bërë Zyra për Rikthim të Aseteve që nga funksionalizimi i saj, ofroi përkrahjen dhe mbështetjen e tij për këtë Zyrë me qëllim për të arritur sukseset e përbashkëta të Zyrës për Rikthim të Aseteve, si dhe falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për themelimin dhe funksionalizimin e Zyrës së Rikthimit të Aseteve.
Poashtu në takim u diskutua edhe për idenë e përgatitjes së një koncept dokumenti për nxjerrjen e ligjit për Zyrën për Rikthim të Aseteve, ide kjo e iniciuar nga partnerët ndërkombëtar, si dhe u vendos që me qëllim të identifikimit të rasteve ku ka bazë ligjore për rikthim të aseteve, të vazhdohen vizitat e zyrtarëve të kësaj zyreje në prokuroritë Themelore.