Prishtinë, 6 shkurt 2025 –Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi, ka mbajtur takim me koordinatoren nacionale znj. Sebahate Sinani dhe koordinatorët e prokurorive për rastet e trafikimit me qenie njerëzore, ku kanë marrë pjesë edhe prokurorët nga departamentet për të Mitur në prokuroritë themelore.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me rastet e trafikimit me qenie njerëzore gjatë vitit 2024, si dhe një sërë çështjesh të rëndësishme profesionale që ndërlidhën me luftimin e trafikimit me qenie njerëzore duke përfshirë edhe sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët gjatë trajtimit të rasteve të trafikimit.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi theksoi se përherë ekziston gatishmëria e tij për t’i mbështetur prokurorët që i trajtojnë këto raste, duke theksuar se trafikimi me njerëz është një ndër veprat me komplekse e paraparë në Kodin Penal që kërkon qasje profesionale dhe konstruktive nga ana e prokurorëve.
Mbajtja e këtij takimi është mbështetur nga projekti rajonal “Mbështetja e BE-së për përmirësimin e luftës kundër kontrabandës së emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor “EU4FAST WB”, prezantimi i të cilit projekt u bë në fund të këtij takimi.