Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Share on

Facebook

U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi: Ka ardhur koha për bashkëpunim të avancuar ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave

Prishtinë, 9 tetor 2024 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka mbajtur një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit kryesorë të institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, duke përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Doganën e Kosovës, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Odën e Noterëve, Departamentin për Tatimin në Pronë në Ministrinë e Financave, Agjencinë Kadastrale dhe Agjencinë për Regjistrimin Civil, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të mundësuar hetime efektive, duke u bazuar në të dhënat inteligjente dhe ndjekjen e lëvizjes së parave.

Më këtë rast, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ka theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë i nevojshëm, por duhet përmirësuar atë dhe është koha që të nxitet një angazhim më i fortë dhe të mbahen përgjegjës aktorët që nuk tregojnë bashkëpunim të mjaftueshëm”.

Gjithashtu, z. Kelmendi, nënvizoi më tej se nuk mund të tolerohet më një situatë e tillë ku përgjegjësitë ndahen dhe qëllimet e përbashkëta mbeten pa u përmbushur dhe është koha që të gjitha institucionet të demonstrojnë një angazhim konkret dhe të pandërprerë për të arritur rezultate të prekshme. Ndër të tjera, ai ka theksuar se do të kërkojë llogaridhënie nga çdo institucion për përpjekjet e tyre, në mënyrë që të sigurohet që mungesa e përkushtimit nuk do të mbetet pa pasojë, sepse nevoja për përmirësim është urgjente dhe kërkon një nivel të ri të bashkëpunimit për të arritur qëllimet e përbashkëta në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Kjo nismë përforcon përkushtimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për të avancuar luftën kundër korrupsionit dhe për të siguruar që institucionet përkatëse të bashkëpunojnë ngushtë për të ndjekur aktivitetet e paligjshme financiare dhe për të forcuar integritetin e institucioneve publike.

Kjo ngjarje mbështetet nga Projekti SAEK III, Zyra e UNDP-së në Kosovë, me ndihmën e Qeverisë Zvicerane përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, dhe me ndihmën e Qeverisë Suedeze, përmes SIDA-së, në Kosovë.