Prishtinë 15 prill 2025 – Me rastin e ndarjes nga jeta të ish – Kryeprokurorit të Shtetit z. Ismet Kabashi, gjatë ditës së djeshme në Sallën e Kulturës në Mitrovicë, në prani të shumë pjesëmarrësve Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbajtur akademi përkujtimore.
Në këtë Akademi, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, mbajti fjalë rasti, i cili duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, e cilësoi ish – Kryeprokurorin e Shtetit z. Ismet Kabashi, figurë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
U.D. Kryeprokurori Kelmendi theksoi se: “ z. Ismet Kabashi ishte një profesionist i madh, i palodhur, me integritet dhe përkushtim ndaj detyrës. Në rrugëtimin e tij profesional, ai i qëndroi besnik ligjit dhe etikës. Ishte një figurë e qetë por e vendosur, një drejtues që e njihte përgjegjësinë. Ishte i drejtë në gjykim, i përmbajtur në fjalë dhe i palëkundur në bindje”.
Ndarja nga jeta e ish-Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi sipas Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, do të lërë një boshllëk të madh, jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për të gjithë ata të cilët kanë pasur fatin ta njohin dhe të punojnë me të.
Poashtu gjatë kësaj akademie përkujtimore u lexuan telegramet e ngushëllimit të Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, Kryetarit të Gjykatës Supreme, z. Fejzullah Rexhepi, Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, dhe ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Në emër të familjes Kabashi, znj. Venera Kabashi, vajza e ish – Kryeprokurorit të Shtetit z. Ismet Kabashi, duke e kujtuar të atin e saj, në emër të familjes e falënderoi Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për organizimin e kësaj ceremonie dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në të.