Prishtinë, 26 mars 2025 – Koordinatori i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave z. Burhan Maxhuni, u takua me stafin e zyrës qendrore dhe me udhëheqësit e zyrave regjionale për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, ku temë kryesore ishte inspektimi i lëndëve të trajtuara në të gjitha zyrat regjionale gjatë vitit 2024 dhe menaxhimi efikas i zyrave regjionale.
Gjatë këtij takimi, u analizua progresi i trajtimit të rasteve gjatë vitit 2024, duke u fokusuar në përmirësimin e shërbimeve për viktimat dhe adresimin e sfidave në procesin e mbrojtjes dhe ndihmës për viktimat e krimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua menaxhimit dhe koordinimit më efikas të zyrave regjionale, në mënyrë që të sigurohet mbështetje më e madhe për viktimat dhe të rritet transparenca në trajtimin e rasteve.
Koordinatori Maxhuni theksoi rëndësinë e standardizimit të procedurave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar një qasje më gjithëpërfshirëse dhe efektive në ofrimin e ndihmës për viktimat. Gjithashtu, u diskutuan strategjitë për forcimin e kapaciteteve të stafit dhe përmirësimin e infrastrukturës së zyrave rajonale.
Ky takim shërben si një hap i rëndësishëm në drejtim të rritjes së efikasitetit të sistemit të mbrojtjes dhe ndihmës për viktimat e krimit, duke siguruar që çdo rast të trajtohet me profesionalizëm dhe përkushtim.
Në përmbyllje të takimit, Koordinatori i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave z. Burhan Maxhuni, falënderoj stafin për angazhimin dhe përkushtimin në ofrimin e shërbimeve cilësore për viktimat e krimit, si dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve për viktimat dhe përkushtimin për të garantuar një sistem më efikas dhe të përgjegjshëm.