Prishtinë, 30 prill 2025 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka marrë pjesë në tryezën e prezantimit të “Procedurës Standarde të Veprimit dhe formës për shqiptimin e masës së diversitetit – Vërejtja policore”, hartuar në kuadër të Policisë së Kosovës me mbështetjen e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe UNICEF-it, në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë”, i cili mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në fjalën e tij, U.D. Kryeprokurori Kelmendi theksoi rëndësinë e zbatimit efektiv të masave të diversitetit për të miturit, me ç’rast ka falënderuar Policinë e Kosovës, KOMF-in dhe partnerët ndërkombëtarë për hartimin e “Procedurës Standarde të Veprimit dhe formën për shqiptimin e masës së diversitetit – Vërejtja Policore”, si dhe ka i përgëzuar prokurorët të cilët kanë zbatuar këtë masë, që sipas U.D. Kryeprokurorit të Shtetit është jashtëzakonisht e rëndësishme për procedurën ndaj të miturve.
Shqiptimi i kësaj mase u vlerësua si një moment i rëndësishëm, i cili pritet të ndikojë në rritjen e efikasitetit, në përmirësimin e sistemit të drejtësisë për të mitur, zvogëlimin e kostos së procedurave gjyqësore, duke përfshirë kostot për palët në procedurë dhe buxhetin e shtetit, si dhe në nxitjen e rehabilitimit dhe parandalimin e sjelljeve recidiviste të të miturve.