Prishtinë, 7 shkurt 2025 – Përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, kryesuar nga zëvendësja e Avokatit të Popullit znj. Majlindë Sinani Lulaj, vizituan sot Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u pritën në takim nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rrjedhën e procesit zgjedhor për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025 e me theks të veçantë u diskutua për planin operativ të Prokurorit të Shtetit në ditën e zgjedhjeve.
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, znj. Pula informoi të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor.
Ndërkaq, zëvendësja e Avokatit të Popullit znj. Majlindë Sinani Lulaj informoi prokuroren Pula për angazhimin e monitoruesve nga institucioni i Avokatit të Popullit, për rrjedhën e procesit zgjedhor, për rolin e tyre dhe shpërndarjen e tyre në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.