Prizren, 17 Prill 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Hetimet Rajonale në Prizren, pas një hetimi disa mujor duke zbatuar masat e veçanta hetimore, kanë realizuar kontroll në regjionin e Prizrenit, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin Y.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” nga neni 267 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri Y.M., që nga muaji dhjetor 2024, e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit S.Sh., në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare, nga i pandehuri merr të holla me kamatë prej 10%. Pasi që viktima nuk arrin t’ia kthejë të pandehurit me kohë të hollat për muajin vijues, përveç kamatës, i pandehuri kërkon edhe shumën shtesë për çdo vonesë, derisa kamatat vazhdojnë të rriten në vazhdimësi, dhe bëhen të papërballueshme për viktimën.
Kontrolli është realizuar në regjionin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, i pandehuri është arrestuar në flagrancë, me të hollat e pranuara nga viktima.
Gjatë këtij aksioni, është kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, me ç’rast Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar:
- Pesë (5) kavanoza qelqi dhe tri (3) qese plastike me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1 Kg e 57 gram;
- Një (1) peshore elektronike;
- Dy (2) grindera;
- Dy (2) telefona mobil;
- Një (1) pistoletë P22Walther, kalibër 9mm me një (1) karikator të zbrazur;
- Një (1) pistoletë ROHM RG96, kalibër 9mm;
- Një (1) karikator me 9 fishekë;
- Një (1) armë automatike e llojit të panjohur;
- Tëdhjetë e një (81) fishekë të kalibrit të panjohur;
- Një (1) Automjet “Opel Astra”.
I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtin Departamenti i Krimeve të Rënda do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.