Share on

Facebook

Prokuroria e Prizrenit me Aksion Kundër Degradimit të Mjedisit

Prizren, 11 Nëntor 2024 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me inspektorë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë realizuar dy aksione të ndara në Prevallë kundër degradimit të ambientit.

 

Në të dyja rastet, në bashkëpunim me mbikëqyrësit e parkut kombëtar “Sharri”, janë sekuestruar tre (3) eskavator dhe një (1) kamion si mjete të kryerjes së veprës penale, pajisje me të cilat ilegalisht po degradohej mjedisi, dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ndërtimi pa leje” nga neni 359, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

 

Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara janë duke u ndërmarrë veprime procedurale në drejtim të lëshimit të urdhërit të përkohshëm ndalues dhe paraqitjes së kërkesës në gjykatë për lëshimin e urdhërit ndalues përfundimtar së bashku me masën e përkohshme përkatëse.

 

Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.