Prokuroria Themelore Prizren

Share on

Facebook

Aktakuzë për trafikim me njerëz

Prizren, 29 Mars 2024 Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.P., dhe L.H., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “ Trafikimi me njerëz” nga neni 165, dhe “ Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” nga neni 228, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri M.P., g jatë periudhës kohore, Qershor – Korrik të vitit 2021 në Prizren, merr pjesë në trafikimin me njerëz dhe atë duke rekrutuar, strehuar dhe pranuar viktimën e trafikimit me anë të përdorimit të forcës dhe shtrëngimit apo të keqpërdorimit të një pozite të ndjeshme ose me anë të dhënies ose marrjes së pagesave nga e njëjta me qëllim të shfrytëzimit seksual të saj, në atë mënyrë që paraprakisht siguron viktimën e mitur, për të cilën e di se është e mitur dhe e rekruton të njejtën në lokalin e tij – klubin e natës ‘’NN’’ në Prizren, në mënyrë që e njëjta të punojë si e ashtuquajtur ‘’valltare’’ apo ‘’shoqëruese e klientëve’’, të cilës gjithashtu edhe i ofron strehim në dhomat e gjumit të lokalit në fjalë por edhe banesë në Prizren, me ç’rast me përdorim të forcës dhe shtrëngimit e detyron që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale klientëve të ndryshëm, konkretisht edhe të pandehurit L.H, e cila në pamundësi që t’i rezistojë detyrimit me forcë, pa pëlqimin e saj është pajtuar që t’i ofrojë disa herë shërbime seksuale të pandehurit në fjalë.

Në këtë mënyrë, i pandehuri M.P., ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz”, ndërsa, i pandehuri L.H., veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” nga neni 228 sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.