Share on

Facebook

Kërkohet paraburgim për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”

Ferizaj, 20 shkurt 2025 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.L., – komuna e Pejës, për shkak të dyshimit të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17.03.2023, në Prishtinë, i pandehuri A.L., në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para për vete që të ushtroj ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pas arrestimit të të pandehurit E.S., dhe caktimit të paraburgimit nga ana e gjykatës, është takuar me vëllain e të pandehurit, prej të cilit ka kërkuar dyzet mijë (40.000) euro para që të ushtroj ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtar, gjyqtarë e prokurorë për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E.S., cili gjendej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj,  për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Fajdeja “ dhe “Shmangia nga tatimi” të KPRK-së edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar andaj, me këtë I pandehuri A.L., do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri A.L., që nga data 19 Shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.