Prokuroria Themelore Ferizaj

Share on

Facebook

Kërkohet paraburgim ndaj tetë të dyshuarve në rastin “Brezovica 3”

Ferizaj, 04 Mars 2022 Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A , të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016, i pandehuri I.M., si person zyrtar – Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit” nga neni 422 par.1 të KPRK-së. I njëjti, sipas Prokurorisë, në mënyrë të tërthortë ka pranuar para, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par. 2 të KPRK-së.

Për të pandehurin A.I., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së. Po ashtu, i njëjti, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.

Për të pandehurit Z.G., dhe A.X., ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH) në Prishtinë, në bashkëkryerje kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, Komuna Shtërpcë, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të KPRK-së. Të njëjtit, si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH), në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë marrë para, me qëllim të ushtrimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar , me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit ” nga neni 431 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndaj M.Sh., ekziston dyshimi i bazuar se në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së. I njëjti, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, ndaj  të pandehurit F.H., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2010, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së. I njëjti, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.

Kurse, ndaj të pandehurit R.A ., ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të tërthortë, i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK-së. I njëjti, në mënyrë të tërthortë, i ka dhënë para personit zyrtar që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së. Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2017, i njëjti ka falsifikuar dokumentin publik, me qëllim që të përdoret si origjinal, me këtë do të kryente veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 par.2 të KPRK-së

Kurse, ndaj të pandehurit H.A ., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2015-2020, në Shtërpcë, si investues në vikend-zonë, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë dhurata në para dhe vikend-shtëpiza personit zyrtar me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së. I njëjti në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.