Prokuroria Themelore Ferizaj

Share on

Facebook

Aktakuzë për veprën penale “Mashtrimi” për kontrata pune në Irak, Afganistan dhe Poloni

Ferizaj, 26 Gusht 2024–Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.L., K.H., dhe K.L., për shkak të dyshimit të bazuar  të veprave penale “Mashtrimi” në vazhdim dhe bashkëkryerje si dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë periudhës kohore 2020-2022, i pandehuri N.L., në vazhdim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror përvete me anë të paraqitjes së rreme të fakteve i detyron të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që u premton të njëjtjeve se do të mund të u siguroj kontrata pune në bazat ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni, ashtu që për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkon shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, me ç’rast të dëmtuarit i’a dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transfereve bankare dhe pavarësisht që të njëjtit presin me muaj të tërë, kontratat e punës nuk arrin të i siguroj asnjëherë, si dhe të hollat nuk u’a kthen, e ku dëmi total nga veprimet e të pandehurit arrin shumën rreth 80 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale në vazhdim “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafi 1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit N.L, dhe K.H., në vazhdim dhe bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, kanë mashtruar disa të dëmtuar në atë mënyrë që u premtojnë të njëjtëve se do të mund të sigurojnë kontrata pune në baza ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni, duke i detyruar të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, ashtu që për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkojnë shuma të  të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, ashtu që të dëmtuarit u’a dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transferve bankare, të cilat të holla pastaj i ndajnë së bashku dhe pavarësisht që të dëmtuarit presin me muaj të tërë, kontratat e punës nuk arrijnë të i sigurojnë asnjëherë si dhe të hollat nuk u’a kthejnë, me çka kanë kryer veprën penale në vazhdim dhe në bashkëkryerje “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Ndërkaq, e pandehura K.L., në vazhdim, me dashje i ndihmon të pandehurit N.L., njëherësh bashkëshortit të saj për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, në atë mënyrë që deri sa ky i fundit nuk gjendej në Kosovë, e njëjta takohej me disa nga të dëmtuarit dhe nga të njëjtit pranon shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, e pastaj këto shuma të të hollave ose i deponon në llogarinë bankare të të pandehurit N.L., ose ia transferon përmes “Western Union”, me çka i ndihmon në vazhdim bashkëshortit të saj në përfitim të kundërligjshëm pasuror që kanë rrjedhur me kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.