Prokuroria Speciale

Share on

Facebook

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, priti në takim zyrtarë të lartë të shtetit gjerman

Prishtinë, 17 korrik 2024 – Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, i shoqëruar nga zëvendësi i tij z. Valdet Gashi, pritën në takim një delegacion të lartë të shtetit gjerman, kryesuar nga Sekretari i Shtetit Gjerman, z. Bernd Krösser. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe

Drejtori i Shtabit për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane në Ministrinë Federale të Brendshme, z. Michael Niemeier, z. Florian Bathe nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme, z. Thomas Lubnau, Zyrtar Ndërlidhës i Zyrës së Policisë Federale te Krimit, z. Stefan Dorbach, Zyrtar Ndërlidhës i Policisë Federale, si dhe nga z. Christian Böttcher, nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Fillimisht, Kryeprokurori Isufaj falënderoi delegacionin gjerman për vizitën e bërë, duke theksuar se prania e tyre në këtë institucion është konfirmim i mbështetjes së veçantë për Prokurorinë Speciale dhe mbështetjes për të luftuar krimin e organizuar. Gjithashtu kryeprokurori Isufaj shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritashëm dhe për përkushtimin e treguar nga ana e zyrtareve gjerman në shërbim të sundimit të ligjit në Kosovë.

Më tej Kryeprokurori Isufaj, njoftoi delegacionin gjerman për organizimin dhe planifikimet strategjike që ndërlidhen me kompetencat e kësaj prokurorie, me ç’rast theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për luftimin e migrimit të parregullt, luftimin e krimit të kontrabandës dhe adresoi vështirësitë që kanë të bëjnë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në fushën penale në rrugën përpara drejt konsolidimit të sundimit të ligjit.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit Gjerman, z. Bernd Krösser, falënderoi Kryeprokurorin Isufaj për mikpritjen, duke nënvizuar vazhdimin e bashkëpunimit dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për Prokurorinë Speciale.

Të dy bashkëbiseduesit, z.Isufaj dhe z.Krösser u pajtuan që bashkëpunimi i ndërsjellë të vazhdojë dhe intensifikohet edhe më tej, në mënyrë që të respektohen  parimet dhe vlerat e pavarësisë, profesionalizmit dhe etikës profesionale të Prokurorisë Speciale dhe me qëllim që rezultatet e punës të arrihen siç është përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.