Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës

Share on

Facebook

Letërurim nga U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, drejtuar Kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK)

Prishtinë, 8 korrik 2024

I nderuar Kryetar i AGK-së, z. Rexha,
E nderuara Nënkryetare e AGK-së, znj. Dema – Selmani,
Të nderuar anëtarë të rinj të Bordit të AGK-së,

Më lejoni që në emër të institucionit të Prokurorit të Shtetit të shpreh urimet e mia më të mira për rizgjedhjen Tuaj në krye të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). Njëkohësisht, uroj të gjithë anëtarët e rinj të Bordit të AGK-së për mandatin e fituar.

Me këtë rast, çmoj rolin dhe angazhimin e vazhdueshëm të AGK-së për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve në Republikën e Kosovës, sa herë që Ju dhe kolegët Tuaj jeni sfiduar gjatë punës dhe përpjekjeve tuaja për të siguruar informacione të sakta dhe të besueshme për publikun.

Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj rolin themelor që luan një shtyp i lirë dhe i pavarur në forcimin e demokracisë. Andaj, kontributi Juaj si gazetarë është jetik në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe prosperuese.

Në fund, shpreh gatishmërinë time dhe të institucionit që përfaqësoj për avancimin e bashkëpunimit tonë të ndërsjellë dhe siguroj që Prokurori i Shtetit do të vazhdojë t’i trajtojë me prioritet të gjitha rastet ku të dëmtuar janë gazetarët dhe do të angazhohet maksimalisht në vënien para drejtësisë të personave që cenojnë sigurinë dhe integritetin e gazetarëve gjatë kryerjes se detyrave profesionale.

Sinqerisht,
Besim Kelmendi
Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit