Prishtinë, 19.05.2025 – Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit njofton opinionin publik se në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të saj në luftimin e korrupsionit dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, me datë 19.05.2025 ka ndaluar me vendim të prokurorit dy persona për shkak të veprave penale ”Marrja e ryshfetit” nga neni 421 dhe ”Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që viktima të kalojë testin praktik të vozitjes i kanë kërkuar para ryshfet, të cilat i kanë pranuar dhe për shumën e pranuar, kandidatja ka kaluar testin.
Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore, Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale në grumbullimin e provave.
Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale.