Prishtinë, 14 prill 2025
E nderuara familja Kabashi,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj dhe kolegut tonë të çmuar, ish-Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi, i cili tërë jetën ia kushtoi punës për drejtësi dhe krijimit të një vendi të sigurt për të gjithë qytetarët, ku mbretëron sundimi i ligjit, integriteti, dinjiteti, profesionalizmi dhe përkushtimi i madh institucional e qytetar.
Me këtë rast, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë se, gjatë tërë karrierës së tij, z. Ismet Kabashi dëshmoi profesionalizëm të lartë dhe një urtësi të pakufishme dhe largimi i tij nga kjo botë është humbje e madhe jo vetëm për familjen tuaj, por për tërë sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Në kohën sa ka udhëhequr sistemin prokurorial janë shënuar përparime të rëndësishme për institucionet e drejtësisë, andaj kontributi dhe përkushtimi i tij i palëkundur për sundimin e ligjit do të mbeten përherë të gdhendura në historinë e institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Në emër të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe në emrin tim personal, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, duke ndarë me juve dhimbjen për këtë humbje të pazëvendësueshme.
Pushoftë i qetë në tokën e Kosovës dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për z. Ismet Kabashi!
Me respekt,
Ardian Hajdaraj
Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës