Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Reduktohen esencialisht aktivitetet e punës në Prokurorinë e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës

Prishtinë, 21 tetor 2022 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Ky reduktim në këto dy prokurori vjen si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive.

Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativë për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore.

Situata e krijuar në këtë objekt me pasoja shëndetësore nuk i takon përgjegjësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke qenë se i njëjti ka ndërmarrë veprime të njëpasnjëshme brenda kompetencave të veta për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi madhor. Ky objekt është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila është kompetente dhe përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme.

Të gjendur para kësaj situate, i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt.

Deri në realizimin e këtij projekti, prokuroritë e lartcekura do të punojnë sipas planit emergjent.

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të mbajë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt.