Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Monitorohet zbatimi i akteve nënligjore në sistemin prokurorial

Prishtinë, 20 shtator 2022 – Në kuadër të monitorimit të zbatimit të akteve nënligjore dhe me qëllim të përmbushjes së detyrave të punës, anëtarët e Komisionit për Çështje Normative, të udhëhequr nga Armend Zenelaj, vizituan Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan, ku janë pritur nga kryeprokurorët Shukri Jashari dhe Arben Kadriu.

Ndër temat kryesore të diskutimeve ishin aspektet e informimit për zbatimin e akteve nënligjore në fuqi dhe akteve që janë në proces të hartimit, diskutimit dhe miratimit në KPK, lehtësimin e qasjes në to, sfidat dhe vështirësitë në zbatimin e tyre dhe propozimet eventuale për plotësimin dhe ndryshimin e akteve normative.

Gjithashtu në këtë kontekst është prezantuar edhe Pyetësori i hartuar për mbikëqyrjen e zbatimit të akteve nënligjore, i cili do të lehtësojë procesin e punës së Komisionit për Çështje Normative dhe do të ndihmojë në përmbushjen e detyrave që ndërlidhen me mbikëqyrjen e zbatimit të akteve nënligjore dhe hartimin e akteve të parapara me Strategjinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2022-2024.

Komisioni për Çështje Normative, bazuar në Rregulloren e Punës dhe në kuadër të detyrave të punës së tij, do të zhvillojë edhe vizita të tjera në prokuroritë e vendit.