Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Monitorohet zbatimi i akteve nënligjore në Prokurorinë Themelore të Pejës dhe atë të Gjakovës

Pejë/Gjakovë, 20 tetor 2022 – Në vazhdën e monitorimit të zbatimit të akteve nënligjore dhe me qëllim të përmbushjes së detyrave të punës, anëtarët e Komisionit për Çështje Normative, të udhëhequr nga Armend Zenelaj, vizituan prokuroritë themelore të Pejës dhe Gjakovës, ku janë pritur nga kryeprokurori Agim Kurmehaj dhe u.d. kryeprokurori Enis Gashi.

Në takimet e zhvilluara në dy prokuroritë përkatëse anëtarët e Komisionit për Çështje Normative u njoftuan për zbatimin e akteve nënligjore në fuqi dhe akteve që janë në proces të hartimit, diskutimit dhe miratimit në KPK, lehtësimin e qasjes në to, sfidat dhe vështirësitë në zbatimin e tyre dhe propozimet eventuale për plotësimin dhe ndryshimin e akteve normative në përgjithësi.

Gjithashtu këto dy vizita janë shfrytëzuar për prezantimin e Pyetësorit të hartuar për mbikëqyrjen e zbatimit të akteve nënligjore, i cili do të lehtësojë procesin e punës së Komisionit për Çështje Normative dhe do të ndihmojë në përmbushjen e detyrave që ndërlidhen me mbikëqyrjen e zbatimit të akteve nënligjore dhe hartimin e akteve të parapara me Planin Strategjik të Sistemit Prokurorial për vitin 2022-2024.

Komisioni për Çështje Normative do të zhvillojë vizita edhe nëpër prokuroritë tjera të vendit.