Prishtinë, 22 prill 2025 – Nën udhëheqjen e znj. Laura Pula, kryesuese e grupit punues të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), është mbajtur sot takimi i radhës i këtij grupi, me pjesëmarrjen e anëtarëve, kryeprokurorë, prokurorë dhe stafit të Departamentit të TI-së.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i hapave të mëtejmë për avancimin e SMIL-it në prokuroritë themelore dhe në Prokurorinë e Apelit, me theks të veçantë mënyra e zgjidhjes së rasteve përmes sistemit SMIL.
Pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe procesi i gjenerimit të raporteve statistikore nga SMIL-i, me fokus në analizën dhe ndërtimin e një raporti të ri specifik për sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve. Ky raport pritet të kontribuojë në forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit për zbatimin e legjislacionit në fushën e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, u diskutua për planifikimin e vizitave në prokurori të ndryshme në nivel vendi, për të zhvilluar takime të drejtpërdrejta me prokurorët dhe stafin mbështetës, me qëllim të identifikimit të nevojave për të avancuar edhe më tej sistemin SMIL.
Grupi punues riafirmoi përkushtimin për të mbështetur zbatimin e suksesshëm të sistemit SMIL si një mjet kyç për digjitalizimin e funksioneve të sistemit prokurorial.