Prishtinë, 15 maj 2025 – Në kuadër të ndryshimit dhe plotësimit të udhëzimeve administrative që kanë të bëjnë me fuqizimin e kapaciteteve të punës dhe respektimin e parimeve etike në sistemin prokurorial, Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka organizuar një punëtori me qëllim të finalizimit të draftit të Udhëzimit Administrativ për caktimin e normës orientuese dhe Udhëzuesit për Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale të Prokurorëve të Shtetit.
Të pranishëm në këtë punëtori janë Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj. Jehona Grantolli, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, kryetari i Komisionit për Çështje Normative, z. Armend Zenelaj, anëtarë të Këshillit, prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Zëvendëskryeprokurori dhe prokurorë të Prokurorisë Speciale, Koordinatori Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, anëtarë të Komisionit Këshillëdhënës për Etikën e Prokurorëve, kryeprokurorë të prokurorive në nivel vendi, si dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së me stafin administrativ dhe drejtoresha e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.
Që në fillim, z. Zenelaj, znj. Grantolli dhe z. Kelmendi, potencuan rëndësinë e hartimit të një udhëzimi të qartë dhe të zbatueshëm për normën orientuese vjetore, i cili përcakton pritshmëritë për përfundimin e lëndëve penale nga prokurorët e departamenteve të prokurorive themelore, Prokurorisë së Apelit dhe departamenteve të veçanta në Prokurorinë Speciale.
Me rastin e trajtimit përfundimtar të këtij udhëzimi administrativ, pjesëmarrësit theksuan se ai mbështetet në kritere të qarta për llogaritjen dhe përmbushjen e normës, përzgjedhjen e lëndëve dhe nivelin e ndërlikueshmërisë së tyre, ngaqë caktimi i normës orientuese është një ndër elementët kyç për menaxhimin efektiv të punës në sistemin prokurorial.
Gjithashtu, gjatë sesioneve të radhës është paraparë edhe finalizimi i draftit të Udhëzuesit për Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale, ku do të ketë diskutime dhe propozime për domosdoshmërinë e respektimit të standardeve etike nga prokurorët, si një faktor kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Kjo punëtori do të vazhdojë punën edhe gjatë ditës së nesërme dhe pas finalizimit të tërësishëm të këtyre akteve nënligjore të sistemit prokurorial, ato do të dërgohen për dëgjim publik dhe pastaj për miratim në njërën nga takimet e KPK-së.