Share on

Facebook

Mbahet punëtori për menaxhimin efektiv të zyrave regjionale dhe zbatimin e Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Rasteve në ZMNV

Prishtinë, 17 prill 2025 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në bashkëpunim dhe financim të Qeverisë Gjermane përmes GIZ-it, ka organizuar një punëtori dyditore, në të cilën po marrin pjesë anëtari i KPK-së, Prof. Ass. Dr. Dardan Vuniqi, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, Menaxheri i ZMNV-së, Burhan Maxhuni, Këshilltarja e Sundimit të Ligjit – përfaqësuesja e GIZ-it, Fjolla Koshi, Udhëheqësi i Departamentit të TI-së në SKPK, Nexhat Haziri dhe udhëheqës të njësive organizative dhe zyrtarë të administratës dhe ZMNV-së.

Qëllimi i mbajtjes së kësaj punëtorie është fuqizimi i aftësive menaxhuese të pjesëmarrësve për të udhëhequr dhe menaxhuar në mënyrë efektive zyrat regjionale dhe Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Rasteve në ZMNV.

Me këtë rast, Drejtori i i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, vuri në pah rëndësinë e menaxhimit strategjik për ofrimin e shërbimeve dhe sigurimin e njohurive praktike dhe teknike për zbatimin dhe përdorimin efikas të sistemit elektronik për menaxhimin e rasteve (SEMR), me qëllim të rritjes së transparencës, efikasitetit dhe mbikëqyrjes së punës në kuadër të mbrojtjes dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e krimit.

Në sesionin e ditës së sotme gjithashtu janë trajtuar edhe çështjet e menaxhimit të zyrave regjionale dhe parimet e udhëheqjes efektive të tyre, ndërsa pjesëmarrësit e punëtorisë patën mundësinë që të diskutojnë për funksionimin aktual të këtyre zyrave, përmirësimin e komunikimit, përpilimin e strategjive dhe vendimmarrjen e duhur.

Kurse, nesër, në kuadër të kësaj punëtorie, pritet të bëhet prezantimi i Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Rasteve.