Prishtinë, 19 maj 2025 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Ardian Hajdaraj, priti sot në një takim shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, znj. Mary Ann Hennessey.
Në fillim të takimit, z. Hajdaraj e njoftoi znj. Hennessey për aktivitetet aktuale të KPK-së, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm institucional për fuqizimin e sundimit të ligjit, me një fokus të veçantë në forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të sistemit prokurorial. “Një nga prioritetet tona kryesore është rritja e besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial dhe në këtë drejtim nevojitet fuqizimi i mëtejshëm i kapaciteteve profesionale të prokurorëve”, tha Kryesuesi Ardian Hajdaraj me këtë rast.
Një temë kyçe e diskutimit ishte zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit me Zyrën e Këshillit të Evropës, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të reformave të sundimit të ligjit në Kosovë. Të dy palët diskutuan mundësitë për avancimin e mëtejshëm të partneritetit përmes projekteve të përbashkëta që synojnë përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në sistemin prokurorial.
Në përfundim të takimit, Kryesuesi Hajdaraj shprehu falënderime të sinqerta për mbështetjen e vazhdueshme të Zyrës së Këshillit të Evropës, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për arritjen e objektivave të përbashkëta.