Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Kryesuesi Hajdaraj viziton prokuroritë themelore në Ferizaj dhe në Gjilan

Prishtinë, 16 korrik 2024 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, së bashku me anëtarët e KPK-së, Armend Zenelajn dhe Jetish Malokun, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, vizitoi sot prokuroritë themelore në Ferizaj dhe në Gjilan, ku është pritur nga kryeprokurorët Shukri Jashari dhe Arben Kadriu, me bashkëpunëtorët e tyre.

Në të dyja takimet e zhvilluara, Kryesuesi Hajdaraj u njoftua nga kryeprokurorët e prokurorive themelore në Ferizaj dhe në Gjilan për aktivitetet e zhvilluara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 dhe për proceset aktuale të punës. Me këtë rast, ata adresuan edhe sfidat e ndryshme gjatë procesit të punës për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale në territorin që kanë në kompetenca të tyre.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial falënderoi kryeprokurorët për informatat e prezantuara, duke theksuar nevojën e diskutimeve për zbatimin e mandateve të tyre kushtetuese dhe ligjore. “Ne presim angazhimin tuaj për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe rasteve të tjera specifike”, nënvizoi Kryesuesi Hajdaraj.

Kryesuesi Hajdaraj dhe kryeprokurorët Jashari dhe Kadriu janë pajtuar për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për krijimin e kushteve sa më të favorshme të punës, mbajtjen e trajnimeve të specializuara, zbatimin e planeve të punës dhe angazhimin e gjithanshëm për fuqizimin e sundimit të ligjit në vendin tonë.