Share on

Facebook

Kryesuesi Hajdaraj priti në takim përfaqësuesit e Administratës Gjyqësore të Norvegjisë

Prishtinë, 8 tetor 2024 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi dhe Udhëheqësin e Departamentit të Teknologjisë Informative në SKPK, Nexhat Haziri, ka pritur në takim përfaqësuesit e Administratës Gjyqësore të Norvegjisë, Audun Hognes Berg dhe Amra Jasarevic.

Që në fillim të takimit, Kryesuesi Hajdaraj njoftoi përfaqësuesit norvegjezë për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë në të arriturat sa i përket zbatimit dhe menaxhimit efikas të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve në të gjitha prokuroritë e vendit, si dhe për aktivitetet që janë të përfshira në pakon ligjore.

Ndër temat kryesore që janë diskutuar sot ishin edhe ato që kanë të bëjnë me sfidat kryesore të SMIL-it, kapacitetet e sistemit prokurorial për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e SMIL-it dhe qëndrueshmërinë financiare, të cilat ndikojnë në menaxhimin e shërbimeve adekuate dhe ofrimin e shërbimeve për përdoruesit, si dhe në përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe lehtësimin e qasjes së qytetarëve në prokuroritë e vendit.

Nga ana tjetër, zyrtarët norvegjezë të Administratës Gjyqësore të Norvegjisë, theksuan se vlerësimi dhe bashkëpunimi me sistemin prokurorial të Kosovës mbetet objektiv i tyre për të vazhduar mbështetjen me qëllim që sistemi elektronik të avancohet edhe më shumë.

Z.Hajdaraj dhe përfaqësuesit e Administratës Gjyqësore të Norvegjisë në përmbyllje të takimit janë pajtuar që të kenë fokus në çështjet që kanë të bëjnë me digjitalizimin e plotë të sistemit prokurorial, duke pasur parasysh edhe ndryshimet ligjore që mund të ndodhin në të ardhmen