Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Drejtori Istrefi priti në takim përfaqësuesit e Projektit “Ngritja e kapaciteteve policore dhe hetimore kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda” nga Ambasada Britanike në Prishtinë

Prishtinë, 17 maj 2024

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Sami Istrefi, priti në takim udhëheqësin e Projektit “Ngritja e kapaciteteve policore dhe hetimore kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda” nga Ambasada Britanike, z. Lawrence Harvey, koordinatoren e projektit, znj. Kimete Krasniqi, eksperten ligjore, znj. Albulena Ukimeri, dhe znj. Altina Besimi, zyrtare për zbatimin e politikave të sistemit të drejtësisë në kuadër të Ambasadës Britanike në Prishtinë.

Me këtë rast, z. Istrefi, fillimisht, njoftoi mysafirët për aktivitetet e fillimvitit, objektivat dhe prioritetet përgjatë vitit 2024 dhe theksoi se në fokusin kryesor të procesit të punës janë transparenca, integriteti, meritokracia dhe llogaridhënia e administratës, në mënyrë që të kontribuohet për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Më tej, ai diskutoi me përfaqësuesit e këtij projekti për përgatitjen e takimit ceremonial për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, që do të përfaqësohet nga Ambasada Britanike në Prishtinë, i cili synon përmirësimin e hartimit të akteve nënligjore dhe themelimin e ekipeve të përbashkëta hetimore për të siguruar hetim dhe ndjekje efikase të veprave penale në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Në përfundim të këtij takimi, u nënvizua se bashkëpunimi do të vazhdojë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të përmirësuar cilësinë e proceseve të punës dhe për të forcuar dhe avancuar kapacitetet e stafit profesional dhe administrativ të sistemit të drejtësisë.