Share on

Facebook

Drejtori Istrefi mban takim me stafin drejtues të SKPK-së dhe administratorët e prokurorive të vendit

Prishtinë, 30 tetor 2024 – Në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm, z. Sami Istrefi, mbajti një takim me stafin drejtues të SKPK-së dhe administratorët e të gjitha prokurorive të vendit.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi për planifikimin e proceseve të punës së administratës në periudhën aktuale, si dhe atyre deri në përmbyllje të vitit 2024 dhe planifikimet e nevojshme për vitin 2025.

Fillimisht, Drejtori Istrefi, theksoi nevojën e domosdoshme të avancimit, ngritjes së efikasitetit dhe zbatimit të obligimeve që dalin nga mandatet e administratorëve të prokurorëve të vendit, pas hyrjes në fuqi të disa rregulloreve që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen dhe funksionimin e administratës së sistemit prokurorial.

Gjithashtu, me këtë rast janë trajtuar edhe çështjet e fuqizimit të komunikimit publik, zbatimit të akteve ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me qasjen në dokumente publike, kërkesat për të dhëna statistikore dhe informata për media, shoqërinë civile dhe të interesuarit e tjerë.

Në fund të takimit është nënvizuar rëndësia e vlerësimit të nevojshëm të performancës së stafit administrativ në sistemin prokurorial.