Share on

Facebook

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, merr pjesë në tryezën për shënimin e 10 tetorit – Ditës Botërore të Shëndetit Mendor

Prishtinë, 9 tetor 2024 – Është mbajtur sot tryeza e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit për nder të shënimit të “10 tetorit, Ditës Botërore të Shëndetit Mendor”, ku mori pjesë anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi.

Në fjalën e tij, Krasniqi theksoi rëndësinë e zbatimit të të drejtave të njeriut, siç është përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ai vuri në dukje se, megjithëse, legjislacion i në Kosovë është i avancuar për mbrojtjen e të drejtave të personave me probleme mendore,

sfidat e zbatimit mbeten të mëdha.

Krasniqi, theksoi se Ligji për Shëndetin Mendor, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015, ka paraparë nxjerrjen e gjashtë akteve nënligjore brenda një viti, por deri tani nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim.

Anëtari i KPK-së, ka cekur se tashmë kur Republika e Kosovës ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj si dhe Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese do të jenë të rëndësishme për këtë proces dhe si institucione duhet të vendosim prioritetet tona në mënyrë që ekspertet fakte mbledhës kur vijnë në Kosovë të na gjejnë se kemi plotësuar të gjitha standardet e kërkuara.

Krasniqi shpjegoi se, në procedurat penale, prokurori fillimisht përcakton shkallën e përgjegjësisë penale të individëve me probleme mendore dhe se është e nevojshme të merret mendimi i ekspertëve të psikiatrisë forenzike.

Gjithashtu, ai potencoi rëndësinë e mbajtjes së këtyre personave në qendra të veçanta të paraburgimit, të ndarë nga ata pa probleme mendore, për t’u siguruar një trajtim të duhur dhe përkujdesje nga stafi i specializuar, duke pasur parasysh rrezikun që këta individë mund të kenë për veten ose të tjerët.

Në fund Krasniqi, përfundoi duke shprehur angazhimin e Këshillit Prokurorial për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht për personat me çrregullime mendore. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor, Shërbimi Korrektues, Zyra e Kryeministrit, psikiatria forenzike, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar, si dhe nga shoqëria civile.