Prishtinë, 27 mars 2025 – Në kuadër të prezantimit të gjetjeve kryesore nga monitorimi njëvjeçar i rasteve të korrupsionit në gjykatat themelore në Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, GLPS-ja në zbatim të projektit “Act Now”, i cili mbështetet nga BE-ja, mbajti një tryezë diskutimi me temën “Si i trajtuan gjykatat rastet e korrupsionit gjatë vitit 2024?”, në të cilën mori pjesë anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Visar Krasniqi dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, z. Krasniqi në cilësinë e panelistit, tha se sistemi prokurorial është plotësisht i fokusuar për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së aktakuzave, duke vënë në dukje se nga viti 2013 e deri më sot, KPK-ja hartoi dhe miratoi dokumente të rëndësishme strategjike në kuadër të planifikimit të rritjes së efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Pra, në këtë drejtim, KPK-ja themeloi edhe Komisionin mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike në të gjitha prokuroritë e vendit dhe Njësitin për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kurse Plani i fundit strategjik i sistemit prokurorial përfshin vitet 2025-2027, të cilin KPK-ja do ta miratojë në njërin nga takimet e radhës”, nënvizoi para të pranishmëve z. Krasniqi.
Krasniqi, potencoi edhe rëndësinë e bashkërendimit të KPK-së dhe KGJK-së për të trajtuar dhe analizuar rastet e gjykimit të korrupsionit dhe përqindjes së ulët të kalueshmërisë së aktakuzave për korrupsionin nëpër gjykata, sepse të njëjtit prokuror arrijnë t’i kalojnë aktakuzat e tyre nëpër gjykata deri në 90 %, ndërsa te lëndët e korrupsionit dukshëm më pak. Kurse, në përfundim të fjalës së tij, z. Krasniqi përmendi angazhimin e vazhdueshëm të Këshillit Prokurorial për përmirësimin e luftës kundër korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në trajtimin e këtyre rasteve.