Prishtinë, 22 prill 2025 – Në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës (KE) për mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në zbatimin dhe shpërndarjen e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, Zyra e KE-së në Prishtinë organizoi një tryezë të rrumbullakët për ekzekutimin e aktgjykimeve dhe të drejtën për gjykim të drejtë, në të cilën mori pjesë anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Jetish Maloku.
Pjesëmarrës të kësaj tryeze ishin prokurorja në Prokurorinë e Apelit, znj. Shehribane Selimi-Muçaj, përfaqësuesit e Zyrës së KE-së në Prishtinë, të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Qëllimi i tryezës ishte të ofrojë një platformë për dialog dhe për shkëmbimin e përvojave mes përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, prokurorial dhe shoqërisë civile për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave të juridiksioneve të ndryshme dhe të adresojë çështjet dhe sfidat kryesore në të ardhmen.
Gjatë prezantimit të tij, në cilësinë e njërit prej folësve kryesorë, z. Jetish Maloku theksoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës, si një ndër shtyllat kryesore të sistemit të drejtësisë, është i përkushtuar të mbështesë çdo përpjekje që çon drejt përmirësimit të mekanizmave të zbatimit të aktgjykimeve. “Një gjykim i drejtë nuk përfundon me shpalljen e një vendimi, por përmbushet vetëm kur vendimi respektohet dhe zbatohet në praktikë dhe kjo na vendos përballë një reflektimi të thellë që do të duhej të ishte elementi përmbyllës i çdo procesi gjyqësor, pra zbatimi i drejtë, i plotë dhe me kohë i aktgjykimeve”, tha z. Maloku para pjesëmarrësve të kësaj tryeze të rrumbullakët.
Në vazhdim të tryezës diskutimet vijuan me kontributet e pjesëmarrësve të tjerë, me fokus kryesisht në ekzekutimin e vendimeve nga këndvështrimet krahasuese dhe ekzekutimin e aktgjykimeve të gjykatave të të gjitha juridiksioneve.