Prishtinë, 23 prill 2025 – Komisioni për Administrimin e Prokurorive, i udhëhequr nga z. Jetish Maloku, së bashku me anëtarët e Grupit Punues për Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), ka mbajtur sot një takim me përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian: Udhëheqësin e Ekipit për Sundimin e Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Nicola Scaramuzzo dhe Zyrtarin për Politika të Çështjeve Ligjore dhe Këshillim për Sundimin e Ligjit, z. Mats Persson, si dhe menaxheren e projektit KOSEJ, znj. Stéphanie Lefeuvre.
Gjatë takimit u diskutua metodologjia e punës së grupit punues të formuar nga Komisioni, i cili ka për qëllim avancimin e shablloneve që përdoren aktualisht në SMIL. Pjesëmarrësit trajtuan mënyrat për përmirësimin e këtyre shablloneve, si dhe hapat konkretë që do të ndërmerren në fazat e ardhshme të procesit.
Po ashtu, u shqyrtua plani kohor i punës së grupit punues, shabllonet që do të trajtohen në fazën fillestare, si dhe prokuroritë që do të përfshihen në fazën e pilotimit të këtij aktiviteti.
Ky aktivitet parashihet të realizohet deri në fund të vitit, në bashkëpunim të ngushtë me projektin KOSEJ dhe ka për qëllim përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit dhe standardizimin e shablloneve në përdorimin e SMIL-it në prokuroritë e Republikës së Kosovës.