Prishtinë, 5 nëntor 2024 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), gjegjësisht, Grupi punues për hartimin e Planit strategjik dhe Planit të veprimit të sistemit prokurorial 2025-2027, ka mbajtur një takim për analizimin e zbatimit të Planit strategjik 2022-2024, në të cilin morën pjesë anëtarët e këtij grupi dhe përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë.
Kryesuesja e Grupit punues për hartimin e Plani strategjik, njëherësh Zëvendëskryesuese e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Jehona Grantolli, prezantoi analizën e zbatimit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024, plan ky, që ishte korniza kryesore e planifikimit të politikave për menaxhimin e sistemit prokurorial në tri vjetët e kaluar. “Megjithatë, përkundrejt sfidave të shumta që na kanë përcjellë si sistem prokurorial ka të arritura të shumta, por në fokus të Planit 2025-2027 do të jetë rritja e efikasitetit të përgjithshëm të sistemit prokurorial”, tha znj.Grantolli.
Me këtë rast pati diskutime për çështje të ndryshme planifikuese, sidomos për ato që ndërlidhen me proceset e shtyllave kryesore, siç janë: profesionalizmi dhe pavarësia e sistemit prokurorial, efikasiteti dhe efektiviteti në ndjekjen e krimit, profilizimi i prokurorëve dhe trajtimi i rasteve penale, menaxhimi dhe administrimi, llogaridhënia, masat dhe veprimet specifike për promovimin e transparencës publike dhe çështjeve që ndërlidhen me integrimin evropian.
Ndërkaq, Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, duke vlerësuar të arriturat, ka përmendur njëkohësisht edhe sfidat që janë paraqitur gjatë zbatimit të këtij plani, sidomos çështjet që kanë të bëjnë me mungesat buxhetore dhe ato që kanë të bëjnë me reformat në sektorin e drejtësisë.
Ky takim ka vazhduar me diskutime të përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë dhe pjesëmarrësve nga sistemi prokurorial, me ç’rast janë dhënë komente, rekomandime dhe sugjerime të ndryshme.